Shqetësimet e vendeve të QUINT-it
Vendimi fillestar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që nuk e certifikoi listën Srpska, u kundërshtua dhe u kritikua ashpër nga vendet e QUINT-it: ambasadat e Gjermanisë, Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Bashkimit Evropian. Ato i bënë thirrje qeverisë së Kosovës në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit.
“Shprehim shqetësimin lidhur me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar garën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet pakicë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Çdo veprim i tillë për të përjashtuar komunitete të caktuara cenon parimet demokratike dhe minon besimin në institucionet e Kosovës”, thuhej në deklaratën e QUINT-it.
Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha se vendimi i KQZ-së “ishte shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”. Subjekti politik Vetëvendosja dhe KQZ ka të drejtë ankese edhe në një shkallë, në Gjykatën Supreme të Kosovës, për ta kundërshtuar vendimin e PZAP-it për certifikimin e listës Srpska për zgjedhjet lokale. Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit, vendosi të garojë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke u mundësuar kështu që në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të zgjidhen kryetarët shqiptarë. Sipas organizatave joqeveritare që vazhdimisht përcjellin proceset zgjedhore, nëse lista Srpska certifikohet për zgjedhjet lokale në Kosovë, ajo pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore të Kosovës./DW


