Aksionet globale kanë rënë ndjeshëm dhe dollari amerikan arriti nivelin më të ulët në gjashtë muaj – pasi Donald Trump zbuloi tarifa gjithëpërfshirëse kundër partnerëve tregtarë globalë të SHBA-së, një lëvizje që pritet të përmbysë zinxhirët e furnizimit dhe të shkaktojë trazira ekonomike, sipas “The Guardian”.
Tregjet evropiane shënuan sot një rënie në të gjithë bordin. Në Londër, FTSE 100 ra me 1,5%, Dax i Gjermanisë ra me 2,3% dhe CAC i Francës ra me 2,5%.
Dollari u ul gati 2% kundrejt një shporte valutash të huaja, përfshirë paundin, i cili u rrit më shumë se një cent e gjysmë në 1,3148 dollarë.
“Deutsche Bank” dërgoi një shënim duke paralajmëruar klientët që të ruhen nga kriza e besimit të dollarit.
Investitorët e qytetit të Londrës rritën bastet për uljen e normave të interesit nga bankat qendrore, ndërsa politikëbërësit përpiqen të shmangin një recesion global.
Tregjet e parasë tani po vlerësojnë mundësinë prej 92% që Banka Qendrore Evropiane të ulë normat e interesit të eurozonës në takimin e saj këtë muaj, nga 80% që ishte dje.
Shanset për një ulje të normës së Bankës së Anglisë në fillim të majit janë rritur gjithashtu, në 77%.
Kjo pasoi një shitje të madhe në Azi, ku partnerët tregtarë u goditën nga rritjet më të larta të tarifave mbi bazën 10% të aplikuar për importet nga të gjitha vendet që shesin mallra në SHBA.
Brenda natës, “Nikkei” dhe “Topix” i Japonisë ranë përkatësisht 3, 3% dhe 3,5%, pasi presidenti amerikan, Trump aplikoi tarifën prej 24% ndaj vendit.
“Hang Seng” i Hong Kongut ra me 1,9%, ndërsa tregu i aksioneve në Vietnam – i cili u godit me tarifa 46% – ra me 6,7%.
Rënia u pasua gjithashtu nga “Futures” amerikane, me “Dow Futures” që shënuan një humbje prej 2,7% dhe “S&P 500 Futures” me rreth 3,4%.
“Indeksi Nasdaq” i përqendruar në teknologji ra me 3,8%.
“Nasdaq Futures” u godit më rëndë nga tre tregjet kryesore, me një rënie prej 3,5%, me përfaqësues të tillë si “Apple” – që ka ende ekspozim të madh ndaj Kinës – duke rënë me 7%.
“Nike” regjistroi një rënie të ngjashme prej 7,3%, prodhuesi i çipave “AI Nvidia” ra me 5,6% dhe Tesla ra me mbi 8%.