Site icon Informohu siç duhet

Tarifat e One nën hetim, Biba paralajmëron vendim: Ndryshim i madh në tregun celular

Kreu i Autoriteti i Konkurrencës, Denar Biba, ka konfirmuar se hetimi për tregun e telefonisë celulare në Shqipëri, i nisur pas rritjes së tarifave nga One Albania, ndodhet në fazën përfundimtare dhe pritet të mbyllet me një vendim brenda pak javësh.

Hetimi u ndërmor pas shqetësimeve të shumta nga abonentët, të cilët kundërshtuan rritjen e çmimeve të paralajmëruar nga kompania, që hyn në fuqi më 1 maj 2026. Sipas njoftimit për klientët, tarifat do të rriten deri në 2.2%, në përputhje me indeksin e çmimeve të konsumit të publikuar nga INSTAT.

Qytetarët kanë shprehur pakënaqësi, duke argumentuar se rritja e çmimeve nuk reflekton përmirësim në cilësinë e shërbimit.

Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, Biba theksoi se tregu shqiptar i telefonisë celulare nuk është monopol, por ka tipare të një duopoli, gjë që sipas tij sjell problematika në funksionimin e konkurrencës.

Ai bëri të ditur se vendimi i Autoritetit pritet së shpejti dhe la të kuptohet se mund të ketë zhvillime pozitive për konsumatorët.

“Është çështje javësh që të dalim me një vendim. Diçka e mirë do të ndodhë në tregun e telefonisë celulare,” u shpreh Biba, duke sinjalizuar ndërhyrje të mundshme për përmirësimin e konkurrencës dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Exit mobile version