Pas mbetjes jashtë Parlamentit, kandidati i Partisë Demokratike Myslim Murrizi ka shpërthyer në ironi ndaj rezultatit të votimeve në Hotolisht të Librazhdit – një fshat që para zgjedhjeve kishte protestuar me arkivol kundër projektit të rrugës Librazhd–Prrenjas, por më 11 maj i dha një fitore bindëse Partisë Socialiste.
Në këtë fshat, PS mori 1,445 vota, ndërsa koalicioni PD-ASHM, ku bën pjesë edhe Murrizi, vetëm 684.
Në një postim në rrjetet sociale, Murrizi shkruan me tone thumbuese:
“Të votosh të diel para dy ditësh për PS dhe pushtetin mbi 70% dhe sot të bësh si ‘cub’ duke treguar arkivolin është një tallje ekstreme me veten. Për të ‘varrosur’ qeverinë e kishit gjithë ditën e diel, datë 11 maj, arkivolin përpara, por e mbushet me vota duke e shndërruar kutinë e votimit në ‘arkivol’ për veten.”
Por nuk ndalet me kaq. Duke iu drejtuar banorëve, Murrizi shton me një frazë që është kthyer në virale:
“TANI A KA MUNDËSI TË MOS HANI SHUMË, SE ÇFARË KISHIT PËR TË NGRËNË E MBARUAT MË 11 MAJ NGA ORA 7:00 DERI NË ORËN 19:00.”
Në prill, banorët e Hotolishtit kishin dalë në protestë kundër zgjerimit të rrugës, duke e konsideruar projektin si kërcënim për pronat dhe jetesën e tyre. Me pankarta dhe arkivol simbolik, ata u betuan se nuk do ta pranonin shkatërrimin e fshatit të tyre. Por zgjedhjet treguan një realitet tjetër.
Pavarësisht revoltës publike, kutitë e votimit treguan një mbështetje të madhe për Rilindjen. Dhe për Murrizin, ky kontrast është dëshmi e një fshati që “nuk e përdori arkivolin për të varrosur qeverinë, por për të vetëvarrosur shpresën e ndryshimit.”