Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka publikuar analizën teknike të sulmit kibernetik që goditi Bashkinë e Tiranës, duke identifikuar skedarin keqdashës “Display_10.exe” si një virus i llojit wiper, i cili përdoret për të fshirë të dhëna në mënyrë të pakthyeshme dhe për të dëmtuar sistemin operativ Windows.
Sipas AKSK-së, virusi ka përdorur teknika të avancuara shkatërrimi, duke vënë në shënjestër infrastrukturën teknologjike të bashkisë. Në dokumentin e publikuar përfshihen indikatorët e komprometimit (IoCs), përshkrimi i veprimeve shkatërruese që kryen skedari keqdashës, si dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e sigurisë.
Pas marrjes së sinjalizimit për sulmin, AKSK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike, të cilët kanë ndërmarrë veprime të shpejta në terren, në bashkëpunim me stafin teknik të Bashkisë Tiranë.
Grupi ka kryer:
Analizën fillestare të komprometimit së infrastrukturës;
Identifikimin e pikave të hyrjes së sulmit;
Izolimin dhe kufizimin e përhapjes në sistemet e tjera të ndërlidhura;
Masa të menjëhershme për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura;
Hartimin e rekomandimeve të para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës digjitale.
AKSK thekson se sulmet ndaj infrastrukturave kritike të informacionit përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe shpreh përkushtimin e saj për të garantuar integritetin, konfidencialitetin dhe disponueshmërinë e sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.
Hetimet për origjinën dhe autorët e sulmit vijojnë, ndërsa institucionet po rishikojnë strategjitë e mbrojtjes për të forcuar rezistencën kibernetike të sistemeve publike.

