Të paktën tre persona, mes tyre një punonjës shpëtimi, humbën jetën në sulmet me raketa ruse të nisura nga nata e së premtes deri të shtunën, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, në komunitetin Petropavlivska, rajoni Dnipropetrovsk, “një punonjës shpëtimi u vra dhe një tjetër u plagos pas sulmeve të përsëritura”, ndërsa “një grua tjetër u vra dhe shtatë persona u plagosën”.
Nga shpërthimet u dëmtuan automjete zjarrfikëse, ndërtesa banimi dhe disa dyqane.
Ndërkohë, Kievi u godit gjithashtu nga raketa dhe dronë, ku sipas kreut të komandës ushtarake të qytetit, Timur Tkachenko, një person humbi jetën dhe 10 të tjerë u plagosën.
Forcat Ajrore të Ukrainës bënë të ditur se Rusia lëshoi nëntë raketa balistike Iskander-M dhe 64 dronë sulmues, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase arriti të asgjësojë 50 dronë dhe katër raketa.
Sulmet e fundit shënojnë një tjetër përshkallëzim të ofensivës ruse, ndërsa lufta në Ukrainë po hyn në dimrin e saj të tretë.


