Një incident i rëndë ka ndodhur në një shkollë të mesme në Bavari të Gjermanisë, ku disa persona kanë mbetur të plagosur pas një sulmi të dyshuar. Ngjarja u regjistrua në liceun Welfen-Gymnasium, në qytetin Schongau.
Sipas policisë bavareze, një 16-vjeçar është arrestuar si i dyshuar për përfshirje në sulm. Autoritetet kanë konfirmuar se dy vajza kanë pësuar plagë të rënda, ndërsa numri i përgjithshëm i të lënduarve nuk është bërë ende i ditur. Mediat gjermane, përfshirë Bild, raportojnë se të plagosurit janë më pak se dhjetë.
Hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat dhe nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarja të trajtohet si një rast i ashtuquajtur “Amoklauf”, term që në Gjermani përdoret për sulme të dhunshme të kryera në mënyrë të pakontrolluar ndaj personave të pranishëm.
Policia nuk ka dhënë ende detaje të plota mbi motivin e sulmit apo rrethanat në të cilat ai ndodhi. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të publikojnë më shumë informacion pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.
Schongau është një qytet me rreth 12 mijë banorë në perëndim të Bavarisë, ndërsa liceu Welfen-Gymnasium frekuentohet nga rreth 800 nxënës.


