TIRANË– Prej ditës së sotme, fermerët në të gjithë Republikën e Shqipërisë kanë mundësi të aplikojnë për të përfituar nga mbështetja buxhetore, pjesë e skemës kombëtare në bujqësi, e cila vë në dispozicion të tyre një fond prej 4.4 miliardë lekësh.
PËRFITUESIT
Në total janë 8 masa mbështetëse. Dy prej tyre janë për blegtorinë, një masë është për bletarinë, mbështetje për fara dhe fidanë, për kultivimin e bimëve mjekësore, për fermat organike dhe nafta pa taksa. Në total buxheti i parashikuar arrin në 4.4 miliardë lekë. Një vit më parë buxheti total arriti në 5.2 miliardë lekë, por mbetet për t’u parë në vijim nëse do të kemi një shtesë fondesh deri në fund të vitit.
Pjesë e këtij buxheti është edhe skema e investimeve, ku fermerët që kanë aplikuar gjatë vitit që shkoi, tashmë janë në fazën e përfitimit të fondeve. Paralelisht, sektori do të përfitojë edhe nga garancia sovrane. Janë 250 miliardë lekë që Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion për bankat e nivelit të dytë, për të kredituar fermerët që nuk kanë kolateral, por që del garant shteti.
Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural financon për gjedhët deri në 10.000 lekë për lopë ose mëshqerra, 5.000 lekë për viçat, në ferma jo më pak se 10 krerë. Për bagëtitë e imta vijon po e njëjta masë financimi 1200 lekë/krerë; për bletarinë 1000 lekë/koshere; për perimet/luleshtrydhen/ rrush tavoline në serra, masa e financimit është 200 000 lekë/ha (jo më pak se 1 ha).
Këtë vit është rritur një masë financimi për kontrollin biologjik të dëmtuesve, ku 50% e vlerës totale të faturës tatimore do të rimbursohet sërish nga Skema Kombëtare e Mbështetjes.
Bimët aromatike dhe mjekësore vijojnë të jenë në fokus të Skemës Kombëtare me 30.000 lekë/ha (jo më pak se 1 ha), si kriter pranimi. Fermat organike 100.000 lekë/vit dhe 200.000 lekë për çdo fermë të certifikuar. Certifikimi GLOBAL GAP mbështetet me 50% të vlerës totale të faturës tatimore. Ndërsa nga skema e naftës përfitojnë më shumë se 50 000 fermerë.
8 FUSHAT E MBËSHTETJES PËRMES SKEMËS
Mbështetje për tufën bazë të matrikulluar të gjedhëve.
Mbështetje për tufën bazë të matrikulluar të të imtave.
Mbarështim i bletarisë.
Mbështetje për fara, fidanë dhe inpute të tjera.
Mbështetje për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike
Mbështetje për ferma organike.
Mbështetje për certifikimin Global GAP.
Mbështetje për naftë për punimet e mekanizuara në ferma.