Reshje të fuqishme shiu dhe breshër i dendur goditën pasditen e sotme disa rajone të Kosovës, duke shkaktuar përmbytje të mëdha, dëme materiale dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Më të prekurat janë zonat e Brezovicës, Gjilanit, Ferizajt dhe disa fshatra të Gjakovës, ku uji ka mbuluar rrugë, oborre dhe katet e ulëta të ndërtesave, ndërsa breshëri ka krijuar shtresa të trasha në sipërfaqe.
Në Brezovicë, rruga drejt kompleksit turistik është bërë e pakalueshme. Në Gjilan dhe Ferizaj, trafiku është paralizuar nga përmbytjet, ndërkohë që kanalizimet nuk kanë përballuar vëllimin e madh të ujit. Në fshatra të Gjakovës, breshëri ka shkaktuar dëme në kultura bujqësore dhe prona private.
Kompania KEDS njoftoi se reshjet kanë dëmtuar rrjetin elektrik, sidomos në Anamoravë, duke lënë pa energji mijëra qytetarë. “Ekipet janë në terren dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit”, deklaron KEDS.
Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë qartë intensitetin e motit të keq, me rrugë të përmbytura dhe makina të bllokuara në mes të ujit.

