Një ekip studiuesish në Universitetin Kinda të Japonisë ka zbuluar se aminoacidi i zakonshëm argininë mund të reduktojë ndjeshëm dëmtimet neurologjike të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit, raportoi Reuters.
Sipas studimit, arginina pengon formimin e amyloid β (Aβ) – proteina që krijon pllaka në tru dhe konsiderohet një nga mekanizmat kryesorë të sëmundjes. Ky zbulim sugjeron një mundësi të thjeshtë dhe me kosto të ulët për trajtim të mundshëm në të ardhmen.
Në laborator, testet treguan se arginina ngadalëson formimin e agregateve të Aβ42 në varësi të dozës. Rezultatet u verifikuan më pas në dy modele të sëmundjes: tek mizat drosophila dhe tek minjtë e modifikuar gjenetikisht. Në të dy rastet, përdorimi i argininës uli grumbullimin e amyloidit dhe zvogëloi toksicitetin ndaj qelizave nervore.
Tek minjtë, administrimi oral i argininës:
uli formimin e pllakave të amyloidit,
reduktoi nivelet e Aβ42 të patretshme,
përmirësoi funksionet e kujtesës,
dhe uli inflamacionin cerebral – një faktor i rëndësishëm në përkeqësimin e Alzheimerit.
Një avantazh i madh i kësaj përbërjeje është profili i saj i njohur i sigurisë: arginina përdoret prej kohësh si suplement ushqimor dhe substancë mjekësore, gjë që e bën të përshtatshme për studime të shpejta klinike.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se dozat e përdorura në eksperimente janë të ndryshme nga ato që gjenden në suplementet tregtare. Prandaj, nevojiten studime klinike të kontrolluara për të përcaktuar sasinë, mënyrën e përdorimit dhe efektet afatgjata te njerëzit.
Studiuesit besojnë se arginina mund të ketë potencial edhe për sëmundje të tjera neurodegjenerative, pasi vepron si një “chaperon kimik”, duke parandaluar palosjen e gabuar të proteinave.
Ky studim përfaqëson një shembull të qasjes “drug repurposing” – përdorimi i substancave ekzistuese për qëllime të reja terapeutike – dhe hap rrugën për trajtime më të përballueshme për pacientët me Alzheimer në të ardhmen.


