Site icon Informohu siç duhet

Studimi alarmant: 60% e të rinjve në call-center me probleme në shpinën, shikimin dhe dëgjimin

Punësimi në call-center është kthyer në zgjedhjen e detyruar për mijëra të rinj shqiptarë, të cilët, pavarësisht diplomës universitare, nuk gjejnë alternativë tjetër pune. Por pasojat shëndetësore nga kjo punë po bëhen gjithnjë e më shqetësuese.

Një studim i fundit tregon se 60% e punonjësve në këtë sektor raportojnë dëmtime të shtyllës kurrizore, shikimit dhe dëgjimit, ndërsa presioni i lartë dhe orët e tejzgjatura përbëjnë rrezik serioz edhe për shëndetin mendor.

“95% e tyre kanë shfaqur probleme si spoliartroza, dëmtime të syve dhe veshëve”, thekson Ilir Xhemalaj nga Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë.

Shumë kompani call-center shkelin standardet bazë të kushteve të punës, duke vendosur dhjetëra punonjës në ambiente të ngushta, me kompjuterë të vjetruar dhe kufje të ndara mes turneve. “Unë kam 16 vjet në këtë punë. Kompjuteri është i vitit 2010 dhe kufjet i përdorim tre veta”, tregon një operator.

Edhe pse kontratat parashikojnë punë 6-orëshe, në realitet punonjësit detyrohen të qëndrojnë dyfishin e kohës për të marrë një pagë që u siguron jetesën. Ndërkohë, detyrimi ligjor për praninë e mjekut në ambientet e punës mbetet vetëm në letër, pasi kontrolle shëndetësore nuk kryhen.

Exit mobile version