Rebelizmi dhe gangsterllëku e karakterizojnë figurën e reperit Stresi. Në një model që nuk është për t’u marrë shembull aspak nga të rinjtë që pëlqejnë muzikën e tij, Stresi është shfaqur sërish në rrjetet sociale duke mos iu bindur rregullave të përbashkëta të komunitetit që mbrojnë jetën e gjithësecilit.
Në këtë video shihet teksa nget makinën luksoze në kahun e kundërt të trafikut, teksa shmang dhjetra mjete të tjera që janë bllokuar në trafik.
Duke u futur kundravajtje, ai i bën shenjë me drita shoferëve që i vijnë përballë që t’i hapin rrugën.
“Me mua nuk ekziston trafiku”, shkruan Stresi në rrjetet sociale.
Por Policia ka reaguar dhe thotë se ka vendosur masa administrative ndaj reperit, një gjobë prej 25 mijë lekësh të reja si dhe i janë zbritur 10 pikë nga patenta.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet automjeti me drejtues shtetasin A. L., duke parakaluar një varg automjetesh në sensin e kundërt të lëvizjes dhe duke përdorur dritat verbuese në zonë të banuar, në aksin rrugor “Elbasan-Bradashesh”, ju informojmë se:
Sektori i Policisë Rrugore i ka vënë drejtuesit të automjetit, shtetasit A. L., masën administrative 25 000 lekë, bazuar në nenet 146 pika 16, 141 pika 10, 146 pika 10 dhe 127 pika 3, të Kodit Rrugor. Gjithashtu, i janë zbritur 10 pikë nga leja e drejtimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.

