Janë zbardhur detaje nga mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Deputetët demokratë kanë vendosur të vijojnë strategjinë e mosbindjes brenda Kuvendit, duke paralajmëruar se tensionet në seancat plenare do të vazhdojnë.
Sipas tyre, qetësia në sallën e Kuvendit do të rikthehet vetëm pasi të respektohet në mënyrë të plotë rendi i ditës dhe procedurat parlamentare. Demokratët akuzojnë kryeministrin Edi Rama për shmangie të qëllimshme të procedurave, duke paralajmëruar se kjo do të ketë si pasojë seanca të mbushura me përplasje politike.

