“Vdekja le të presë” – filmi përshëndetës i Edicionit të 12-të
Edicioni Dymbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR nisi në mënyrë të ngjashme dhe në traditën e viteve të shkuara: një platformë madhështore e ngritur para Universitetit të Arteve si edhe mjedise krejtësisht të shndërruara dhe të mirëkuruara të oborrit dhe Amfiteatrit të Universitetit të Arteve, ceremonia e mirëseardhjes – kalimi në tapetin e kuq, fotografi, tokje duarsh dhe miqsh, njohje të reja mes artistësh dhe kineastësh nga Evropa dhe bota, prani artistësh, kineastësh dhe pedagogësh shqiptarë të filmit dhe mjeshtërisë, pjesëtarë të trupit diplomatik, politikanë, personalitete të kulturës dhe arsimit, përfaqësues të institucioneve dhe medias…

Drejtori i DEA OPEN AIR, Edmond Topi përshëndeti të pranishmit, duke tërhequr vëmendjen për karakteristikat kryesore të markës DEA në secilin prej edicioneve të veta: “Prej dymbëdhjetë vitesh DEA i ka qëndruar besnik misionit të vet: promovimit të kinemasë me përmbajtje, pasion dhe integritet. Edhe motoja e këtij edicioni – “Kinemaja si integritet” – nuk është një thirrje abstrakte, por një qasje dhe nevojë në kohët që po jetojmë. DEA OPEN AIR është sot më shumë se një festival. Është një platformë, një hapësirë e hapur për dialog, frymëzim dhe bashkëpunim ndërkombëtar.” – tha Topi.
Drejtorja Artistike të Festivalit, Mirela Oktrova iu referua rolit shoqëror të kinemasë kontributin e festivaleve të filmit në shoqëri “Kinemaja është KATARSIS – është një ftesë për reflektim. Për këtë arësye, Kinemaja – s’mund të jetë e lehtë – as në krijim dhe as në përjetim… Në një botë ku zhurma dhe dukja mbivendoset mbi vlerën, ku shpejtësia mbyt reflektimin, moria shtyp cilësinë dhe forma zbeh përmbajtjen, kinemaja cilësore është detyrim… Ndaj DEA zgjedh të mbështesë, shfaqë dhe promovojë një kinema që flet për njeriun, për të vërtetën dhe për guximin e tij, për të thënë atë që duhet dhe jo atë që shitet më shpejt apo më shumë…” – tha Oktrova.
Kujtojmë se konkurimi zhvillohet në 3 seksione: në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë, ku marrin pjesë 6 filma nga: Shqipëria, Brazili, Maqedonia, Italia, Polonia dhe Turqia, në Seksionin e Filmit Studentor – 13 filma nga 9 vende të botës dhe në Seksionin e Filmit të Shkurtër – 19 filma nga 15 vende të botës.
Programi i Filmit me Metrazh të Gjatë ofrohet do pasdite në orën 18.00 në Kinema DEA OPEN AIR 2 – Salla Qendra e Artit, AGIMI dhe cdo mbrëmje në orën 20:00 në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve. Filmi Studentor, me 13 filma nga 8 vende të botës, ofrohet në orën 15.00 dhe Filmi i Shkurtër – me 14 filma nga 12 vende të botës, çdo pasdite, në orën 16.00.
Kinema DEA OPEN AIR 2, në Sallën e Qendrës së Artit, AGIMI
Kontributet filmike vlerësohen nga ana artistike nga dy juri profesionale ndërkombëtare. Sipas traditës, për nga rëndësia shoqërore e mesazhit për komunitetin, filmat do të vlerësohen dhe nga Juria e Medias.
Kontributet filmike vlerësohen nga ana artistike nga dy juri profesionale ndërkombëtare. Sipas traditës, nisuar nga rëndësia shoqërore e mesazhit për komunitetin, filmat do të vlerësohen dhe nga Juria e Medias.
E gjithë oferta filmike e këtij edicioni të DEA OPEN AIR është e orientuar fort nga individi, sfidat e tij marrëdhëniet e tij me veten dhe botën, luftërat e tij të vogla dhe të mëdha, dhe para së gjithash përpjekja për të gjetur veten në një botë që gjithnjë e më shumë tenton të të largojë prej saj…
Edicioni i 12-të i DEA OPEN AIR u hap me një shfaqje filmi jashtë konkurrimit, për shkak të autorësisë së organizatorëve të festivalit në të.
Filmi “Vdekja le të presë”, me skenar të Uli Bree, regji të Edmond Topit dhe pjesëmarrjen e emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare, është një komedi romantike, por njëkohësisht dhe një film shoqërisht i angazhuar. Ai synon të rikthejë vëmendjen e shoqërisë ndaj moshës së tretë, duke e paraqitur atë jo thjesht si një grup vunerabël, por para së gjithash, si një komunitet aktiv dhe kontribues në jetën shoqërore është njëkohësisht edhe një homazh për njërën prej ikomave më të spikatura të kinematografisë shqiptare, aktoren Margarita Xhepa, e cila u nda nga jeta vetëm para pak kohësh.
Auditori nderoi me ovacione të gjata në këmbë kontributet e aktorëve kryesorë dhe veçanërisht të aktorit protagonist, Reshat Arbana, i cili ndodhej i pranishëm në sallë.
Edicioni i Dymbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR vazhdon. Oferta e tij shfaqet nga datat 9 – 13 Qershor 2025 në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve, dhe sallën e Qendrës së Artit, AGIMI.