Spanja pritet t’i propozojë Bashkimit Evropian pezullimin e plotë të Marrëveshjes së Asociimit me Izraelin, duke argumentuar se qeveria izraelite ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez bëri të ditur se propozimi do të paraqitet zyrtarisht të martën në nivel të BE-së. Gjatë një tubimi parazgjedhor në Andaluzia, ai theksoi se një vend që nuk respekton të drejtën ndërkombëtare nuk mund të mbetet partner i Bashkimit Evropian.
Marrëveshja e Asociimit BE–Izrael, në fuqi që nga viti 2000, përfshin një klauzolë që e lidh bashkëpunimin me respektimin e të drejtave të njeriut. Spanja e kishte ngritur për herë të parë këtë çështje në fillim të vitit 2024, duke kërkuar rishikimin e marrëveshjes në dritën e zhvillimeve në konfliktin në Gaza.
Që prej asaj kohe, Madridi ka ashpërsuar qëndrimin e tij, duke shprehur shqetësime edhe për situatën në Liban. Së fundmi, së bashku me Irlandën dhe Slloveninë, Spanja i ka kërkuar Komisionit Evropian që çështja të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Punëve të Jashtme.

