Site icon Informohu siç duhet

SPAK jep detaje nga aksioni i “Call center-ave” në Tiranë: Kontroll ne 28 ambiente, sekuestrohet një Ferrari

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar procedimin penal nr. 03/2026 për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, pas një hetimi të nisur nga materialet e dorëzuara nga gazetarët e emisionit investigativ italian “Le Iene”.

Hetimet zbuluan një qendër thirrjesh në Tiranë, në godinën “Atti Tower”, e cila dyshohet se mashtronte shtetas italianë dhe europianë përmes investimeve fiktive në kriptomonedha. Aktiviteti kriminal realizohej përmes platformave mashtruese dhe transaksioneve në kriptovaluta, të menaxhuara nga drejtuesit e skemës.

Pas dyshimeve për një ndërhyrje të mundshme të autoriteteve, organizatorët larguan pajisjet gjatë natës dhe zhvendosën aktivitetin në një ambient tjetër në “Downtown One”, ku u konstatuan tentativa për ngritjen e një call center-i të dytë. Falë veprimeve të shpejta hetimore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i 6 personave, si dhe ndalimi i dy të tjerëve, ndërsa tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Gjatë kontrolleve në 28 ambiente të ndryshme janë sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, serverë, dokumente, sisteme monitorimi, automjete dhe një makinë luksoze Ferrari, e dyshuar si pronë e organizatorëve të aktivitetit kriminal.

SPAK njofton se hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të autorëve dhe viktimave, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, ndërsa apelon qytetarët dhe punonjësit e call center-ëve të mos përfshihen në veprimtari të paligjshme mashtruese online.

Exit mobile version