Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur thirrjen për aplikim për pozicionin e drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pas përjashtimit të Aida Hajnajt nga mundësia për rikandidim. Procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet në shtatë faza, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit është data 6 qershor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, kandidaturat duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës në një zarf të mbyllur pranë Sektorit të Arkiv-Protokollit të Drejtorisë së Dokumentacionit dhe Burimeve Njerëzore në SPAK. Krahas kësaj, aplikimi duhet të bëhet edhe në formë elektronike në adresën: [email protected], duke përdorur formularin përkatës të publikuar nga institucioni.
Faza e përzgjedhjes do të zhvillohet në këto shtatë etapa:
Ekzaminimi paraprak i aplikimeve
Kontrolli mjekësor dhe testimi i aftësive fizike
Ese me shkrim dhe test për arsyetimin logjik
Testi i poligrafit dhe intervistë në panel
Verifikimi i figurës dhe deklarimi i pasurisë
Identifikimi i kandidatit fitues
Trajnimi dhe emërimi përfundimtar
Kriteret për kualifikim sipas ligjit 95/2016:
Për të qenë i pranueshëm, kandidati duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme ligjore:
Të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare në drejtësi (Master i Shkencave) ose në arsim të lartë policor.
Të ketë përvojë si prokuror, oficer policie, hetues i BKH-së apo punonjës i Policisë Gjyqësore.
Të ketë të paktën 5 vite përvojë në hetimin e veprave penale që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar apo krimet e rënda.
Nëse është punonjës policie, të ketë mbajtur për të paktën 3 vjet një nga gradat: Komisar, Kryekomisar, Drejtues ose Drejtues i Parë.
Të mos jetë nën hetim apo gjykim, të mos ndodhet në kushte të papajtueshme me funksione publike dhe të dorëzojë formularin e vetëdeklarimit sipas ligjit për integritetin në funksione publike.
Të mos ketë mbajtur funksione politike në administratë apo poste drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit.
Të ketë marrë vlerësime maksimale për etikën dhe profesionalizmin (nëse ka qenë subjekt vlerësimi më parë).
Të mos jetë dënuar me masa disiplinore të vlefshme në momentin e aplikimit.
Të mos ketë qenë bashkëpunëtor, agjent apo informator i shërbimeve inteligjente.
Të mos ketë qenë pjesë e strukturave politike, ligjore apo hetimore të regjimit komunist (1944–1991).
Të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit.
Vërejtje të rëndësishme:
Formulari i aplikimit duhet të jetë plotësuar tërësisht dhe në mënyrë të lexueshme.
Çdo mungesë informacioni, pasaktësi apo mosevidentim i përmbushjes së kritereve do të çojë në refuzimin automatik të aplikimit.
SPAK garanton transparencë dhe integritet në këtë proces përzgjedhjeje, duke e zhvilluar sipas rregullave strikte të përcaktuara në legjislacionin ekzistues.


