SPAK ka finalizuar fazën kryesore të hetimeve për një nga rrjetet më të mëdha ndërkombëtare të trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe korrupsionit, të hetuar së bashku me Antimafian e Breshias dhe Prokurorinë e Zvicrës.
Sot u ekzekutuan kontrolle për 21 persona nën hetim, ndërsa hetimet zbuluan një grup të strukturuar me bazë në Shqipëri e degëzime në Itali, i cili trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës Veriore, për ta shpërndarë më pas në Itali me kamionë të tonazhit të rëndë.
Autoritetet italiane kanë sekuestruar 1.3 tonë kokainë të ndarë në 6 baza logjistike, ndërsa gjatë operacioneve janë arrestuar 10 persona dhe janë sekuestruar:
550 mijë euro cash
10 automjete
130 kg drogë të tjera
1 armë gjysmëautomatike
Paratë e përfituara dyshohet se dërgoheshin tek drejtuesit e grupit përmes të ashtuquajturve “money mules”, disa prej të cilëve ishin shoferë autobusi në linjën Itali–Shqipëri.
Nga 24 persona me masa sigurie të vendosura nga autoritetet italiane, 6 ndodhen në Shqipëri dhe 3 janë arrestuar.
SPAK ka zbuluar gjithashtu se një oficer i Policisë Gjyqësore, I.H., ka nxjerrë të dhëna sekrete të hetimit dhe ka kërkuar përfitime të paligjshme, duke kompromentuar operacionin.
Grupi akuzohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash, korrupsion, shpërdorim detyre dhe zbulim të sekretit hetimor.

