Në Kosovë shënohet sot 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, ku më 15 janar të vitit 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Masakra e Reçakut cilësohet si një nga ngjarjet më të rënda të historisë së fundit të Kosovës. Në kuadër të përkujtimit, “Ditët e Reçakut”, institucionet lokale dhe ato qendrore, së bashku me shoqatat e dala nga lufta, organizojnë aktivitete të ndryshme në nderim dhe kujtim të viktimave, për, “ruajtjen e së vërtetës historike dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj”. Në të gjitha shkollat e Kosovës ora e parë mësimore i kushtohet 15 Janarit – Masakrës së Reçakut.
Dokumentimi nga Walker
Masakrën e Reçakut gjatë luftës në Kosovë e kishte dokumentuar William Walker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Pas kësaj masakre, u intensifikuan përpjekjet diplomatike që çuan drejt Konferencës së Rambujesë (Francë), ndërsa në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake e policore të ish-Jugosllavisë.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Ambasadori William Walker po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut. Ai u prit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ky i fundit në një komunikatë për media u shpreh se “është gjithmonë i lumtur ta mirëpresë dhe ta takojë ambasadorin Walker”, duke shprehur mirënjohjen e tij të thellë, “për rolin historik që ai ka pasur për popullin e Kosovës në ekspozimin e krimeve gjenocidale të Serbisë, për miqësinë e çmuar që vazhdon dhe për angazhimin e tij të pareshtur në shërbim të së vërtetës dhe drejtësisë”.
Ngritja e aktakuzës
Dy javë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 21 personave për veprën penale – “Krim i luftës kundër popullsisë civile”. Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe në vitin 1998/99, vranë 45 civilë në fshatin Reçak të Shtimes.
Të pandehurit, të cilëve iu publikuan vetëm inicialet, janë: O.S., R.M., K.J., G.R., Ž.T., B.J., M.L., R.M., D.DJ., B.M., D.J., M.Š., D.A., S.V., B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Č.A. dhe Z.J. Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, meqë ata janë “të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës.
Gjykimi në mungesë, për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra në vitin 2022. Sipas aktakuzës, në periudhën 1998–1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III-të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, “ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”. Hetimet e Prokurorisë kanë vërtetuar, thuhet në njoftimin e saj, se “të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”.
Gjatë luftës në Kosovë të vitit 1998/99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Edhe sot e kësaj dite, afro 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë të Kosovës./DW

