Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit (emër i ndryshuar nga Sidorel Prendi), është ekzekutuar mbrëmjen e sotme në fshatin Pllanë të Lezhës. Ai u qëllua me armë zjarri brenda lokalit të tij, ndërsa u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Kjo ngjarje e rëndë vjen pak më shumë se një vit pas atentatit në Athinë, ku u vra djali i tij Roan Brahimi, më 9 maj 2024. Gjatë atij atentati mbeti e plagosur edhe bashkëshortja e Brahimit, Katerina Beqo.
Roan Brahimi njihej nga autoritetet si një personazh i përfshirë në botën e krimit. Ai ishte i dyshuar për atentatin ndaj Ylli Ibrahimit, ku humbi jetën Klisman Preçi. Po ashtu, Brahimi rezultonte në kërkim për një tjetër incident në Zejmen të Lezhës në vitin 2021, ku së bashku me të tjerë, mes tyre edhe Ramazan Rraja (nipi i një deputeti) dhe Alesio Dobrozi, hynë të armatosur në një lokal duke terrorizuar të pranishmit.
Roan Brahimi dyshohet gjithashtu për përfshirje në atentatin ndaj Brilant Martinajt, kushëriri i shumëkërkuarit Ervis Martinaj. Në atë ngjarje të ndodhur në korrik 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës, humbën jetën edhe Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.
Ngjarja e sotme pritet të hetohet në pistën e hakmarrjes, pasi lidhet me një zinxhir ngjarjesh të rënda kriminale që kanë tronditur vendin në vitet e fundit.