Në prag të fushatës elektorale të 11 majit, sondazhin i Report TV në bashkëpunim me institutin Piepoli, tregon se 45% e qytetarëve shqiptarë vlerësojnë punën e qeverisë Rama, një rritje me 2% krahasuar me sondazhin e 27 marsit.
Pyetjes, “si e gjykon veprimtarinë e qeverisë së Edi Ramës?” 26% e shqiptarëve i përgjigjen “jam shumë i kënaqur”, 19% “mjaft i kënaqur”, 5% “mjaft i zhgënjyer”, 48% “jam shumë i zhgënjyer” dhe vetëm 1% thonë “nuk di të gjykoj”.
Nga krahu tjetër, të dhënat e sondazhit të Report Tv në bashkëpunim me Institutin ‘Piepoli’ tregojnë një rënie të besueshmërisë së opozitës së udhëhequr nga Sali Berisha, pikërisht një ditë para nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
Në total vetëm 32% e shqiptarëve shprehen se kanë besim tek opozita e Sali Berishës, një rënie me 1% krahasuar me të dhënat e sondazhit të 27 marsit.Pyetjes “Sa e konsideron të besueshme veprimtarinë politike të opozitës së udhëhequr nga Sali Berisha?”, 13% e të anketuarve i përgjigjen “shumë e besueshme”, ndërsa 19% “mjaft e besueshme”.Ndërkohë, 66% e shqiptarëve nuk kanë besim tek opozita e udhëhequr nga Sali Berisha. 62% e shohin “aspak të besueshme”, ndërsa 4% “pak të besueshme”.