Site icon Informohu siç duhet

“Skifteri” nga Lezha sfidon Britaninë në TikTok me Rolex e Lamborghini, ndërsa lufton dëbimin drejt Shqipërisë, “The Telegraph”: Tall autoritetet!

“The Telegraph” i ka kushtuar një artikull të gjatë Dorjan Pukës, 29 vjeç, i cilësuar si shqiptar që ekspozon luks në rrjetet sociale, teksa kundërshton dëbimin nga Mbretëria e Bashkuar.

Sipas medias britanike, Puka është deportuar dy herë përpara se të rikthehej ilegalisht në vend, ku prej një viti “bën karshillëk” me video të jetesës luksoze, ndërsa Home Office është e detyruar të presë shqyrtimin e kërkesës së tij për azil.

Në një nga videot e fundit, shqiptari shfaqet duke drejtuar një Lamborghini Urus V8 të vitit 2022 me vlerë gati 185 mijë paund. Ai ekspozon gjithashtu koleksionin e tij me gjashtë ora Rolex, me një vlerë totale rreth 162,500 paund – duke përfshirë edhe modelin “Presidential” prej 53 mijë paundësh.

Kjo sjellje vjen vetëm pak ditë pasi sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, prezantoi masa të reja për shpejtimin e deportimeve dhe detyrimin e azilkërkuesve që kanë pasuri të paguajnë për jetesën e tyre në Britani.

Një histori e përsëritur kthimesh, burgimesh dhe rikthimesh

Puka u arrestua për herë të parë në vitin 2016 për tentativë vjedhjeje dhe u deportua në 2017-n. Ai u rikthye ilegalisht një vit më vonë dhe kreu sërish një seri vjedhjesh në zonat periferike të Londrës. Pas arrestimit të dytë, u dënua me tre vjet e gjysmë burg dhe u deportua në mars 2020.

Në burg, ai u bë i njohur për postime në Instagram me një telefon të futur ilegalisht, ku shfaqej pranë një figure të krimit të organizuar.

Raportet e ndjekura nga “The Telegraph” thonë se pas qëndrimit të shkurtër në Shqipëri, Puka udhëtoi në disa vende të BE-së para se të hynte ilegalisht sërish në Britani në dhjetor 2020. Që nga viti 2023 është nën mbikëqyrje me etikete elektronike, ndërsa pret shqyrtimin e kërkesës së tij për azil.

Luks në TikTok ndërsa pret vendimin për azilin

Llogaria e tij në TikTok dhe Instagram është e mbushur me video me supermakina: Ferrari, Porsche Cayenne, Mercedes G-Wagon, Bentley Bentayga, Jaguar XF e të tjera. Ai ka postuar gjithashtu foto nga pushimet në Carbis Bay, Cornwall, një resort luksoz.

Burimet e financimit të këtij jetese mbeten të paqarta. Mediat shqiptare kanë raportuar se ai ka qëndruar në një apartament 250 mijë paundësh në Hounslow, Londër.

Exit mobile version