Site icon Informohu siç duhet

Skema e mashtrimit, bie në pranga 26-vjeçari, hiqej si inspektor dhe zhvati dhjetëra biznese

Një skemë e mirëorganizuar mashtrimi është goditur nga policia në Gjirokastër, ku një 26-vjeçar me inicialet L.M. përfundoi në pranga pas një hetimi njëmujor.

I riu, banues në Sarandë, prezantohej si inspektor i institucioneve shtetërore si IKMT, AKU dhe Tatim-Taksat, duke u marrë para bizneseve në këmbim të shmangies së gjobave apo kontrolleve. Në këtë mënyrë, ai kishte ngritur një skemë të pastër zhvatjeje që preku mbi 35 subjekte tregtare në disa qytete të vendit.

Arrestimi i tij u bë në flagrancë në Sarandë, teksa po merrte 56 000 lekë të reja nga një qytetar, shumë që u sekuestrua si provë materiale.

Hetimet zbuluan se L.M. kishte shtrirë aktivitetin e tij në një sërë qytetesh si Tepelenë, Përmet, Vlorë, Himarë, Orikum, Fier dhe Berat, duke përfituar shuma nga 200 deri në 600 euro për çdo rast.

Operacioni “The End”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës dhe strukturat e Policisë, i dha fund kësaj veprimtarie, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht të gjitha rastet dhe personat e përfshirë.

Exit mobile version