Një incident skandaloz ka ndodhur gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë.
Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, ka shprehur dhe verbalisht dhe fizikisht një mllef të madh ndaj mundësit rus Chermen Valiev, i cili përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe fitoi medaljen e artë për Shqipërinë në kategorinë deri 74 kilogramë, stil i lirë duke mposhtur me rezultat 4:2 Zaurbek Sidakovin, një mundës rus që aktualisht përfaqëson Federatën Botërore të Mundjes.
Sipas Komitetit Olimpik Shqiptar, para se t’i vendoste medaljen, Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes Mamiashvili e ka quajtur përfaqësuesin rus të Shqipërisë “tradhtar”, ndërsa ia ka vendosur në mënyrë arrogante dhe me forcë medaljen në qafë.
Në fund, i ka shtrënguar me forcë të dyja duart, shoqëruar me një buzëqeshje ironike.
Reagimi i Komitetit Olimpik Shqiptar
“Sporti i mundjes është përfshirë në një skandal të vërtetë gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë.
Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, në momentin e dorëzimit të medaljes së artë për Chermen Valiev, si kampion Europe për Shqipërinë, ka bërë një gjest skandaloz, duke ushtruar forcë teksa ia vendoste medaljen në qafë dhe më pas duke e shtyrë me duar.
Gjatë këtij momenti është dëgjuar edhe fjala “tradhtar” për Chermen Valiev, i cili ka zgjedhur të garojë për Shqipërinë.
Ky është një rast i paprecedent dhe një skandal i vërtetë për botën e sportit, që bie ndesh me parimet olimpike, të respektit, përsosmërisë dhe miqësisë.
KOKSH dënon me forcë këtë gjest dhe do të vërë në dijeni të gjitha organizmat Olimpike Botërore, për fyerjen dhe dhunimin e sportistit, gjatë kësaj ceremonie të rëndësishme sportive.
Shqipëria ka humbur plot 37 medalje Olimpike, Botërore dhe Europiane, për sportistë që për arsye të ndryshme kanë garuar për shtete të tjera, por asnjëherë, as Federatat dhe as Komiteti Olimpik, nuk janë prononcuar për të quajtur sportistët ‘tradhtarë’, thuhet në reagim.