Një rast i rëndë dhune ndaj dy vajzave, 12 dhe 15 vjeç, ka tronditur kryeqytetin. Vajzat u sulmuan fizikisht nga një grup prej nëntë bashkëmoshataresh në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ndërsa sulmueset i filmuan dhe më pas shantazhojnë viktimat për para.
Prindërit denoncojnë se policia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, pavarësisht se autorët janë identifikuar dhe qëndrojnë të lirë. Ata shprehen se dhuna ishte e planifikuar, me qëllim përfitimin përmes shantazhit, dhe se vajzat e tyre janë tani të frikësuara, nuk shkojnë në shkollë dhe vazhdojnë të kërcënohen përmes rrjeteve sociale.
Policia në Komisariatin Nr.1, sipas prindërve, nuk ka marrë masat e duhura dhe madje ka fajësuar familjet për situatën, duke thënë se nuk mund të ndërhyjnë në konflikte mes të miturve përveç në rastet më ekstreme.
Prindërit bëjnë apel për drejtësi dhe mbrojtje, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet nëse nuk ndërhyhet në kohë, duke kujtuar edhe rastin tragjik të një 15-vjeçari që humbi jetën pas një konflikti të ngjashëm.


