Pas sekuestrimit të një telefoni celular në qelinë e të dënuarit me rrezikshmëri të lartë, Laert Haxhiu, janë marrë masa të menjëhershme në burgun e Drenovës. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka shkarkuar nga detyra drejtorin Fatjon Fasho dhe shefin e policisë së burgut, Sokol Kacollen.
Në vend të tyre, janë emëruar zyrtarisht Lorent Nako si drejtor i ri i institucionit, dhe Artan Kocibelli si shef i policisë së burgut.
Ngjarja që solli këto ndryshime të menjëhershme është në qendër të një hetimi të hapur nga SPAK, pasi dyshohet se celulari i futur në mënyrë të paligjshme u përdor për komunikime që lidhen me një tjetër çështje në hetim. Bëhet fjalë për biseda të përgjuara që dyshohet se u zbuluan aksidentalisht gjatë një përgjimi tjetër.
Laert Haxhiu, i njohur si “i forti i Lushnjës”, është një i dënuar për ngjarje të rënda kriminale, dhe prania e një pajisjeje të tillë në qelinë e tij ka ngritur dyshime serioze për rrjedhje informacioni dhe bashkëpunime të mundshme nga brenda sistemit penitenciar.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që rastet e ngjashme të vlerësohen me zero tolerancë, si pjesë e masave për forcoimin e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.


