Pas skandalit të mandarinave shqiptare me pesticide, një tjetër alarm është ngritur në lidhje me frutat dhe perimet që konsumohen në vendin tonë.
Ndryshe nga rasti me mandarinat, kësaj radhe Shqipëria nuk është eksportuese, por ka lejuar që të futen në treg luleshtrydhe të importuara nga Greqia.
“OraNews” ka zbuluar se në përbërje të këtyre luleshtrydheve të eksportuara është konstatuar prania e pesticidit “Hexythiazox“, i cili shkakton toksicitet në larvat e marimangës.
Nëpërmjet një kërkesë për informacion drejtuar Autoritetit Kombëtar të Ushqimeve mësohet se subjekti importues është “Geri shpk”.
Ngarkesa e ardhur nga Greqia mësohet se ka qenë e pajisur me të gjitha certifikatat shoqëruese, por nga analizat e bëra është kërkuar që produkti të hiqet tërësisht nga tregu për shkak se paraqet rrezik për konsumatorët.
“Megjithatë inspektorët e AKU-t nuk arritën të minimizojnë rrezikun duke bllokuar luleshtrydhen, pasi e gjithë sasia e importuar rezultoi e shitur. Në bazë të procedurave standarde kur një produkt dërgohet për t’u analizuar duhet të qëndrojë i bllokuar deri në daljen e rezultatit të analizave. Në rastin konkret asnjë kilogram luleshtrydhe nuk rezultoi e bllokuar,” është mësuar nga burime brenda AKU-së.
Skandali i ushqimeve me pesticide që futen ose dalin nga vendi ynë ende nuk ka marrë zgjidhje. Ditën e djeshme u zbulua se nga Shqipëria, drejt Kroacisë, u ndalua një ngarkesë me speca.
Edhe rasti i luleshtrydheve është bërë publik nga mediat, ndërsa deri më tani nga ana e autoriteteve përkatëse nuk ka pasur asnjë njoftim./ Ora