Skandali i basteve që ka përfshirë futbollin turk po zgjerohet çdo ditë e më shumë, duke goditur në nivelet më të larta të sistemit sportiv. Hetimet e nisura nga autoritetet turke kanë zbuluar një rrjet të gjerë dhe të organizuar, ku dyshohet se janë të përfshirë jo vetëm arbitra, por edhe presidentë e drejtues klubesh, futbollistë, gazetarë dhe avokatë sportivë.
Gjykatësi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), Emin Özkurt, deklaroi për të përditshmen spanjolle AS se hetimet “janë shumë më të thella nga sa mund të imagjinohet” dhe se rrjeti i basteve ka depërtuar në çdo nivel të futbollit turk.
Federata Turke e Futbollit (TFF) ka njoftuar se janë sanksionuar 152 arbitra — mes tyre 7 gjyqtarë kryesorë dhe 15 asistentë të nivelit të lartë — përfshirë emra si Zorbay Küçük (arbitër i FIFA-s), Egemen Artun, Mehmet Ali Özer, Melih Kurt, Muhammed Selim Özbek, Seyfettin Alper Yılmaz dhe Yunus Dursun.
Sipas mediave turke, javën e ardhshme pritet që rastet të dërgohen për ndjekje disiplinore në Komisionin e Disiplinës së TFF-së. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu përfshirjen e rreth 3,700 futbollistëve aktivë dhe një numër të konsiderueshëm drejtuesish klubesh, çka e kthen këtë skandal në një nga më të mëdhenjtë në historinë e futbollit turk.

