Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Leonidha Çobo, ish-drejtor i kompanisë “Bankers Petroleum”, dhe Hongping Xiao, drejtori aktual dhe shtetas kinez. Vendimi u mor gjatë një seance të zhvilluar sot, ku ishte i pranishëm edhe një përfaqësues i ambasadës kineze në Tiranë.
Të arrestuarit kishin apeluar vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Fierit, duke kërkuar një masë më të lehtë sigurie, por kërkesa u rrëzua. Gjykata e Apelit mbështeti qëndrimin e Prokurorisë, e cila i konsideron dy zyrtarët si figura kyçe në një skemë të dyshuar mashtrimi financiar, që ka sjellë dëm të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit shqiptar.
Vendime të ndryshme për zyrtarët e tjerë të kompanisë
Nga 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të hetuar për këtë çështje, vetëm në një rast Gjykata vendosi lehtësimin e masës. Bëhet fjalë për Doina Goga, të cilës iu zëvendësua masa e arrestit në shtëpi me “detyrim paraqitje”, për shkak të situatës familjare, pasi është prind i një fëmije të mitur.
Ndërkohë, për Majlinda Thanën, Matilda Ibraliun dhe Erton Ademajn, Gjykata hoqi masën e ndalimit të daljes jashtë vendit, duke lënë në fuqi vetëm detyrimin për paraqitje periodike në polici.
Vendimet e Gjykatës së Apelit
“Arrest me burg”:
Leonidha Çobo
Hongping Xiao
“Arrest në shtëpi”:
Lianyi Uang
Ardit Kero
Flavia Capo
Kledi Xhani
“Detyrim paraqitje” (në vend të arrestit në shtëpi):
Doina Goga
“Detyrim paraqitje”, hiqet ndalimi për dalje jashtë vendit:
Majlinda Thana
Matilda Ibraliu
Erton Ademaj
Hetimi: Mashtrim financiar dhe pastrim parash
Sipas Prokurorisë, të pandehurit janë përfshirë në një skemë të sofistikuar për shmangie të detyrimeve tatimore, që ka prodhuar fitime të padeklaruara me vlerë miliona euro. Dyshohet se këto përfitime janë pastruar më pas përmes mekanizmave financiarë të paligjshëm, përmes kontratave fiktive, nënfaturimeve dhe kanalizimeve në kompani të lidhura.
Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa kjo çështje është konsideruar si një ndër rastet më serioze të krimit ekonomik dhe korrupsionit korporativ në Shqipëri vitet e fundit.
Radar.al


