Site icon Informohu siç duhet

“S’kam as 300 apartamente, as jahte”/ Balluku flet për herë të parë për hetimin e SPAK: Nuk kam pasur kurrë lidhje me korrupsionin

Ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me hetimin që po kryhet ndaj saj nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Deklarata erdhi në momentin kur ajo dorëzoi detyrën te ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Në fjalën e saj, Balluku theksoi se ka zgjedhur të mos reagojë me sulme ndaj institucioneve të drejtësisë, por të qëndrojë konsistente në mbështetje të pavarësisë së saj.

Ajo u shpreh se beson te drejtësia e re, e dalë nga reforma në drejtësi, dhe se hetimi ndaj saj duhet të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës.

“Kam vendosur të mos analizoj dhe të mos shaj askënd, por të jem konsistente në qëndrimin tim për drejtësinë. Nuk do të gjeni kurrë një deklaratë timen që të kundërshtojë tjetrën. Drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur”, u shpreh Balluku.

Ajo shtoi se nuk do ta lavdërojë drejtësinë kur godet kundërshtarët politikë dhe as nuk do ta sulmojë nëse hetimet prekin interesat e saj personale.

Balluku mohoi kategorikisht akuzat për pasuri të mëdha, duke i cilësuar pretendimet për qindra apartamente apo luks të tepruar si pjesë të një “gjyqi publik”.

“Nuk kam dhe nuk kam pasur kurrë lidhje me korrupsionin. Nxis që hetimi ndaj meje të vijojë për të nxjerrë të vërtetën në sipërfaqe. Nuk kam as 300, as 30 apartamente. Nuk kam as dy jahte dhe as limuzina. Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik që në këtë vend bëhet shumë lehtë”, deklaroi ajo.

Sipas saj, përballja me akuza dhe gjykime publike nuk është diçka e re, pasi, siç tha vetë, është rritur duke u përballur me situata të tilla.

Exit mobile version