Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar sërish me tone të forta kundër Sali Berishës, duke i quajtur “idiotë të dobishëm” ata që e akuzojnë se e ka personale me ish-kryeministrin. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Kokalari thotë se beteja e saj kundër Berishës është e lidhur ngushtë me mbrojtjen e demokracisë dhe me zhgënjimin që ndan me shumë shqiptarë që prej viteve ’90.
“Personale duhet ta ketë çdo demokrat që është ndjerë i tradhtuar që nga viti 1990,” shkruan ajo, duke shtuar se demokracia në Shqipëri është marrë peng në një nga momentet më të brishta të vendit.
Sipas saj, largimi i Sali Berishës dhe familjes së tij nga politika është i pashmangshëm, dhe kjo do të shënojë fillimin e një ndryshimi të madh për vendin. Ajo deklaron se asnjë konsulent ndërkombëtar apo figura të afërta me Donald Trump nuk do të mund ta shpëtojnë atë nga përballja me drejtësinë.
“Kur të bjerë Berisha, do të bien të gjithë – si domino,” shkruan Kokalari, duke paralajmëruar se beteja politike sapo ka filluar.
Postimi përmbyllet me një mesazh të qartë: ajo mbetet e vendosur për të luftuar atë që e quan moçalin politik në të cilin është zhytur Shqipëria.
POSTIMI I PLOTË
Idiotëve të dobishëm që vazhdojnë thonë se kjo është personale;
Personale duhet ta ketë çdo demokrat që është gënjyer që në 1990, dhe e gjithë Shqipëria që ia morën peng demokracinë në momentin më të brishtë që si popull patëm pas rënies së komunizmit.
Prandaj – idiotëve të dobishëm ju them: sot jam më e vendosur se kurrë që Berisha do të shkojë në shtëpi (a burg) dhe e gjithë familja do të zhduket nga politika, dhe vendi do të dalë nga moçali ku vegjetoni ju që flisni si injorantë, sepse vetëm injorantët nuk arrijnë të kuptojnë se në çfarë moçali e keni kthyer Shqipërinë.
S’ka Paul Manafort & Chris LaCivita që ta shpëtojë Berishën, dhe s’ka Jared Kushner a Ivanka Trump që do ta mbrojë Edi Ramën në të ardhmen. Ju që s’kuptoni që këta janë në Shqipëri për para dhe s’duan t’ia dinë për ju – vështirë të kuptoni detajet e tjera.
Imagjinoni çfarë turpi për LaCivitën të ulet dy karrige larg LSI – Lëvizjes SOCIALISTE për Integrim. Turp që ndot aq emër sa bëri nga Donald Trump.
Fundjavë të mbarë. Beteja e radhës sapo ka filluar.
Qëllim – shkatërrimi i Sali Berishës dhe i budallenjve që e ndjekin! Kur të bjerë Berisha, do të bini të gjithë – si loja e dominos.