Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar një protestë të fuqishme këtë të enjte në Prishtinë, në mbrojtje të bashkëluftëtarëve të tyre dhe kundër asaj që e konsiderojnë si një padrejtësi historike nga Gjykata Speciale.
“Janë bërë të gjitha përgatitjet – nga njoftimi i institucioneve, te lejet, ambulanca dhe autobusët për pjesëmarrësit. Kemi vetëm një mesazh: nuk do të lejojmë të na rishkruajnë historinë!”, tha Gazmend Syla në konferencë për shtyp.
Protesta do të nisë në orën 17:00 në sheshin “Skënderbeu” dhe do ketë si folës personalitete publike dhe ish-luftëtarë, përfshirë Hysni Gucatin, Nevenka Tromp dhe Ali Ahmetin.
Organizatorët janë të shqetësuar për faktin që Gjykata Speciale ka pranuar dokumente si prova nga institucionet serbe, të cilat ata i cilësojnë si “organe të një shteti që kreu gjenocid ndaj popullit tonë”.
“Është e papranueshme! Po cenohen themelet e shtetit tonë dhe po tentohet të shlyhet e vërteta e luftës sonë çlirimtare. Protesta e së enjtes është vetëm fillimi”, deklaroi Syla, duke paralajmëruar mobilizim të mëtejshëm nëse nuk ka reagim ndërkombëtar.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka shkruar në lidhje me protestën e 7 gushtit që do të mbahet, për padrejtësitë e Gjykatës Speciale. “Le të jehojë zëri i secilit që nuk pranon që lufta për liri të njolloset, që historia jonë të rishkruhet padrejtësisht, e që drejtësia të kthehet në padrejtësi.
“Nesër, më 7 gusht, në ora 17:00, mblidhemi të gjithë në sheshin ‘Skënderbeu’– në një protestë që nuk është thjesht reagim, por një akt ndërgjegjeje kombëtare.
Le të jehojë zëri i secilit që nuk pranon që lufta për liri të njolloset, që historia jonë të rishkruhet padrejtësisht, e që drejtësia të kthehet në padrejtësi. Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën”, ka shkruar Krasniqi.


