Zjarret masive që prej ditësh po përfshijnë zonën e Gramshit kanë mbërritur deri në fshatin Harunas, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës. Rruga kryesore është përfshirë nga flakët, duke rrezikuar seriozisht jetën e zjarrfikësve dhe punonjësve të shërbimeve civile.
Bilanci paraprak i tragjedisë është i rëndë: tetë persona janë plagosur deri më tani, ndërsa një 80-vjeçar ka humbur jetën në fshatin Kullollas. Dyshohet se ai ndezi zjarr në kopshtin e banesës së tij, por flakët i dolën jashtë kontrollit dhe e asfiksuan. Zjarri më pas u përhap me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë.
Më herët, Ministria e Mbrojtjes evakuoi banorët e fshatrave Kullollas, Bletëz, Menkollar, Shimër, Skënderbegas, Spanesh dhe Kazie. Situata mbetet kritike, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se përhapja e flakëve po vijon me ritme të shpejta.


