Site icon Informohu siç duhet

Silvinjo pret fundin e kontratës me Shqipërinë, një Kampion Bote italian për drejtimin e Kombëtares?

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka bërë të qartë se do të presë fundin e kontratës së tij në korrik e pastaj të vendosë nëse do të rinovojë apo jo me Shqipërinë. Një sinjal se largimi duket opsioni i parë për teknikun brazilian, sidomos pas rezultateve zhgënjyese dhe kritikave me të cilat është përballur edhe pse drejtoi Shqipërinë drejt pjesëmarrjes për herë të parë në play-off të Botërorit.

Lamtumira e Silvinjos do të shtyjë presidentin Duka dhe FSHF-në që të fillojë të kërkojë një emër për të marrë drejtimin e kuqezinjve, të cilët në shtator nisin pjesëmarrjen në Ligën e Kombeve që mund të garantojë një vend në play-off të Euro 2028. Por cilat janë alternativat?

Pista shqiptare nuk është e preferuar nga Duka, i cili ka zgjedhur gjithmonë trajnerë të huaj, mundësisht jo të profilit shumë të lartë që kanë edhe një kosto ekonomike, por për të cilët është një lloj sfide të drejtojnë Shqipërinë apo një shans për të bërë emër në karrierën e tyre në pankinë. Zgjedhjet e mëparshme janë bërë falë ndërmjetësve apo menaxherëve që kanë qenë të lidhur vazhdimisht me FSHF-në dhe jo rrjedhë e një procesi të mirëfilltë “audicionesh” siç ndodh shpesh në vende të tjera. Edhe e radhës pritet të jetë e tillë.

Një emër menaxheri që po shfaqet gjithnjë e më shumë pranë Kombëtares shqiptare është padyshim Fali Ramadani. Menaxheri kontrollon nëpërmjet kompanisë LIAN Sports Group një numër të madh futbollistësh kuqezinj e së fundmi ka marrë në menaxhim edhe trajnerin Silvinjo. Negociatat për një vazhdim të brazilianit kësisoj do të bëhen me të, por nëse nuk gjendet nëj akord, ashtu siç duket gjithnjë e më e mundshme, Ramadani pritet të jetë emri i parë që do të bëjë propozimet për të ardhmen e kuqezinjve pasi menaxhon edhe trajnerë të tjerë.

Njëri prej tyre është pikërisht profili që i pëlqen Dukës, një emër i njohur, i ri dhe me ambicie, që mundësisht nuk ka bërë hapin e madh që priste më përpara në karrierën e tij. Bëhet fjalë për Alesandro Nesta, ish-mbrojtësin e njohur Italian, Kampion Bote me të kaltrit në 2006 e me qindra ndeshje mbi supe me fanellën e Lacios dhe Milanit në nivelet më të larta. Karriera e tij si trajner nuk ka qenë sicc shpresonte pasi ish-mbrojtësi e nisi me Inter Majemi në MLS dhe më pas vazhdoi në Itali me Peruxhia, Frozionone, Rexhiana e së fundmi Monza, pa arritur të afirmohet në elitë.

Emri tjetër nën “ombrellën” e Ramadanit është Luka Goti, edhe ai një italian i cili ka eksperiencë kryesisht duke punuar për shumë kohë si asistent i Donadonit e Sarrit, ndërsa në vitet e fundit ka drejtuar skuadrat e Udinezes, Specias e Leçes në nivelet më të larta të futbollit italian.

Nuk është aspak çudi që këta emra të jenë të parët në listën e Dukës në eventualitetin e lamtumirës mëse të mundshme së Silvinjos, me një zgjidhje që kërkohet të jetë e shpejtë, për të mos humbur kohë për përgatitjet e Ligës së Kombeve./PanoramaSport

Exit mobile version