Partia Demokratike prezantoi sot në Tiranë, programin e saj elektoral 2025-2029, për Shqipërinë Madhështore në Kuvendin Kombëtar të PD-së.
Aktiviteti u zhvillua në Pallatin e Kongreseve. Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, premtoi krijimin e një Ministrie të Familjes, e cila do të jetë përgjegjëse për zbatimin e politikave më të avancuara sociale për familjet shqiptare.
Ai u ndal veçanërisht te mbështetja për gratë shtëpiake dhe nënat kryefamiljare, duke thënë se ato do të shpërblehen për punën që bëjnë në shtëpi dhe do të kenë mbështetje konkrete nga shteti.
Premtimet kryesore:
Bonuse për fëmijën e parë dhe të dytë, si dhe mbështetje të plotë deri në moshën 23 vjeç për fëmijën e tretë.
Minimum jetik prej 200 eurosh për fëmijët e familjeve me nëna kryefamiljare.
Ndihmë për suksesin e bizneseve të drejtuara nga gratë.
Rrëzimi i murit të patriarkisë, siç e cilësoi Berisha, për të eliminuar diferencat gjinore në shoqëri.
“Ato që quhen shtëpiake do të shpërblehen për punën e tyre”, u shpreh Berisha, duke theksuar përkushtimin për barazi gjinore dhe forcimin e rolit të gruas në familje dhe shoqëri.