Shtatori është menduar i vrullshëm nga Qeveria Socialiste. Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i Partisë Socialiste do të mbledhë në 1 shtator në Tiranë të gjithë ministrat dhe figurat kryesore të partisë.
Mësohet se në 1 shtator dy do të jenë pikat e diskutimit, e para një analizë e përgjithshme e punës së bërë nga qeveria dhe çdo ministri deri më sot, dhe objektivat që do të vendosë qeveria deri në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Ndërkohë që në 4 shtator PS do të mbajë një tjetër takim të rëndësishëm, që do të jetë thirrja e Asamblesë Kombëtare.
Në këtë takim do të zgjidhet gjithë sekretariati i PS, duke nisur nga zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm.
Mësohet gjithashtu se në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare kryeministri Rama do të shpallë edhe emrat e 12 drejtuesve politikë të qarqeve, e cila do të jetë skuadra me të cilën PS do të synojë mandatin e katërt në qeveri.

