Një përplasje e dhunshme mes të burgosurish ka ndodhur në burgun Bassone në Como të Italisë, ku dhjetë shqiptarë janë përfshirë në një sherr me një grup të burgosurish nga Afrika e Veriut.
Sipas mediave italiane, konflikti shpërtheu pasi u thye një derë e brendshme që ndante seksionin e shqiptarëve nga ai i të burgosurve afrikano-veriorë. Mësohet se sherri është shkaktuar nga mosmarrëveshje të mëparshme mes grupeve rivale.
Përplasja u shoqërua me dhunë fizike, por forcat e policisë ndërhynë në kohë për të frenuar situatën. Autoritetet italiane dërguan përforcime nga Milano për të rivendosur qetësinë në institucionin korrektues.
Si pasojë e përplasjes, katër të burgosur u plagosën dhe u dërguan për trajtim mjekësor në spitalin Sant’Anna në Como.
Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, autoritetet kanë urdhëruar transferimin e gjashtë prej të burgosurve shqiptarë në burgje të tjera, konkretisht në Opera, Vigevano dhe Cremona.