Katër persona janë akuzuar për kontrabandë të kokainës përmes aeroportit të Manchesterit, pas një operacioni të zgjeruar të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) në Mbretërinë e Bashkuar.
Të dyshuarit, të cilët u akuzuan mbrëmë dhe pritet të dalin sot përpara Gjykatës së Manchesterit, janë: Dale Hosker, 49 vjeç, nga Bury; Dale Creen, 34 vjeç, nga Worsley; si dhe dy shtetas shqiptarë që jetonin në Liverpool — Elton Hallaçi, 31 vjeç, dhe Artur Iseberi, 27 vjeç.
Akuzat lidhen me aktivitetet e dyshuara të trafikut të drogës në muajin maj 2024. Paralelisht, gjatë një aksioni të koordinuar më 17 qershor 2025, u arrestuan edhe gjashtë persona të tjerë në zona të ndryshme të Manchesterit dhe Liverpoolit. Ndër të ndaluarit janë edhe dy shqiptarë të tjerë, të arrestuar në Fazakerley, Liverpool, ndërsa pjesa tjetër e të arrestuarve përfshin burra të moshave të ndryshme në Bury dhe Worsley.
Të gjithë personat ndodhen aktualisht në paraburgim, ndërsa hetimet për rrjetin e trafikut ndërkombëtar të drogës vijojnë.
“Këto arrestime janë rezultat i një hetimi të gjatë dhe të ndërlikuar. NCA vazhdon përpjekjet brenda dhe jashtë vendit për të goditur trafikun e drogës së klasit A,” deklaroi zëdhënësi i NCA.


