Kombëtarja shqiptare ka arritur fitoren e parë në kualifikueset e Botërorit 2026, duke triumfuar 3-0 përballë Andorrës në “Arenën Kombëtare”.
Pas disfatës me Anglinë, kuqezinjtë arritën fitoren me Andorrën pa probleme.
Sfida nisi mjaft mirë për kuqezinjtë, të cilët gjetën rrjetën që në minutën e ‘9 me Manajn, i cili pas një krosimi të Asllanit, goditi me kokë dhe solli festën në stadium.
Pas 11 minutash ishte po Manaj, i cili pas një super veprimi të Brojës brenda zonës dhe asistit të tij, dyfishoi shifrat, gol që solli dhe qetësinë në kampin kuqezi.
Pjesa e dytë u kontrollua më mirë nga ana e të besuarve të Sylvinhos, me brazilianin që vendosi të mos rrezikonte dhe lojtarë si Gjimshiti, Broja e Laçi duke i zëvendësuar.
Në fund kishte festë dhe për Uzunin, i cili shënoi golin e tretë të ndeshjes, i cili u konfirmua dhe nga VAR.
Miqtë nga ana tjetër nuk kishin asnjë rast të rrezikshëm, me Strakoshën që shumë rrallë herë preku topin gjatë këtij takimi.
Kështu Shqipëria shkon në kuotën e tre pikëve në vendin e dytë të Grupit K, duke parakaluar Letoninë dhe pas Anglisë kryesuese.
Tashmë Shqipëria ndez “motorët” për ndeshjen e madhe me Serbinë, e cila do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” më 7 qershor, ora 20:45.

