Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka deklaruar se procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk duhet të zvarritet më tej. Sipas saj, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë përparime të ndjeshme dhe kanë mundësi reale për t’u anëtarësuar në BE në një të ardhme të afërt.
Duke folur para Dhomës së Deputetëve, në prag të Këshillit Evropian, Meloni theksoi se Italia është e angazhuar që samiti i ardhshëm të japë një mesazh të qartë politik për zgjerimin e BE-së. Ajo paralajmëroi se mungesa e progresit në integrimin evropian të partnerëve të rajonit rrezikon t’i shtyjë ata drejt rivalëve strategjikë të BE-së, duke cenuar stabilitetin e fqinjësisë evropiane dhe besueshmërinë e vetë Unionit.
Kryeministrja italiane nënvizoi se Ballkani Perëndimor tashmë është pjesë e familjes evropiane dhe luan një rol kyç në autonominë strategjike të Bashkimit. Ajo shtoi se këtë qëndrim do ta ritheksojë edhe në samitin BE–Ballkan, ku pritet të diskutohet e ardhmja evropiane e rajonit.
Sipas Melonit, reformat dhe rezultatet e arritura nga Shqipëria dhe Mali i Zi gjatë vitit të kaluar janë inkurajuese dhe dëshmojnë se të dy vendet kanë një perspektivë konkrete për anëtarësim në një afat relativisht të shkurtër.


