Site icon Informohu siç duhet

Shqipëri-Greqi, bisedime të nivelit të lartë më 16 dhjetor, fokus energjia, ZEE-ja dhe negociatat me BE-në

Më 16 dhjetor, Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, do të zhvillojë vizitën e saj të parë zyrtare në Athinë, ku pritet të takohet me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Georgios Gerapetritis. Ky takim konsiderohet një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve, me synimin për të ndërtuar një kuadër të ri bashkëpunimi në disa fusha strategjike.

Sipas mediave greke, në qendër të bisedimeve do të jetë çështja e delimitimit të Zonës Ekonomike Ekskluzive (ZEE), bashkëpunimi në sektorin e energjisë, si dhe procesi i integrimit evropian të Shqipërisë. Që nga viti 2020, të dyja vendet kanë rënë dakord që çdo mosmarrëveshje për ZEE-në të zgjidhet nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, duke ritheksuar angazhimin për dialog dhe zgjidhje ligjore.

Takimet e mëparshme, përfshirë ato të zhvilluara në qershor mes Igli Hasanit dhe homologëve grekë, kanë ndihmuar në krijimin e bazave për dialog më të thelluar, ndërsa vizita e Spiropalit pritet të japë një shtysë të re në proces, duke shfrytëzuar momentum-in që ka krijuar rizgjedhja e Edi Ramës për një mandat të katërt si kryeministër.

Në rendin e ditës pritet të jenë edhe projekte të rëndësishme energjetike dhe infrastrukturore, si gazsjellësit, linjat elektrike dhe lidhjet e tjera që forcojnë integrimin mes dy vendeve. Zgjerimi i bashkëpunimit në këto fusha pritet të rrisë sigurinë energjetike dhe të hapë mundësi të reja për investime.

Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet gjithashtu një temë kryesore, me objektivin që negociatat të përfundohen deri në vitin 2027. Greqia, e cila do të ketë presidencën e Këshillit Evropian në pjesën e dytë të atij viti, pritet të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Exit mobile version