Informohu siç duhet

Shqipëri-Britani, bashkëpunim i fortë kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar, Hita pret zv.ambasadoren britanike

Policia e Shtetit dhe autoritetet britanike kanë theksuar forcimin e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar.

Gjatë një takimi mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe zëvendësambasadores së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Julia Sutherland, u vlerësua se bashkëpunimi i deritanishëm ka sjellë rezultate konkrete në uljen e ndjeshme të rasteve të emigracionit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Palët e cilësuan task-forcën e përbashkët kundër migracionit të paligjshëm si një model të suksesshëm ndërinstitucional, i cili ka ndikuar gjithashtu në goditjen e rrjeteve të krimit të organizuar që veprojnë në këtë fushë.

Drejtori Hita vlerësoi partneritetin me agjencitë ligjzbatuese britanike, duke theksuar se Policia e Shtetit mbetet një partner i besueshëm në garantimin e sigurisë brenda dhe jashtë vendit.

Sipas deklarimeve, bashkëpunimi mes dy vendeve po zgjerohet edhe në fusha të tjera si policia shkencore, teknologjia e informacionit dhe kontrolli kufitar, me fokus në luftën kundër trafikut të armëve, pastrimit të parave dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.

Nga ana e saj, Sutherland theksoi se partneriteti mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vijojë të thellohet, duke u konsideruar një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencës mes dy vendeve.

Exit mobile version