Një shpërthim me tritol tronditi mbrëmjen e së martës qytetin e Shkodrës. Lënda plasëse është vendosur në derën e një biznesi në lagjen “Skënderbeg”, i cili operon në fushën e reklamave dhe marketingut.
Shpërthimi ka ndodhur në biznesin e reklamave “LufaPrint”, në pronësi të shtetasit Lulzim Mehmeti. Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur motivet dhe autorët e ngjarjes.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 22:20, në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër, te dera e një subjekti për reklama, dyshohet se është vendosur lëndë plasëse. Si pasojë ka pasur vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.


