Një shpërthim i fortë ka tronditur zonën Ponte Galeria në Romë, duke shkaktuar shembjen e disa ndërtesave dhe panik te banorët.
Ngjarja ndodhi në rrugën Via Tavagnasco, ku sipas dyshimeve paraprake, shpërthimi i një bombole gazi shembi një pallat dhe dëmtoi të paktën tre banesa të tjera përreth.
Si pasojë e shpërthimit, muret e ndërtesave u shkatërruan plotësisht, ndërsa inertet dëmtuan edhe automjetet e parkuara pranë. Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë dhe arritën të nxjerrin dy persona nga rrënojat përpara mbërritjes së shërbimeve të emergjencës.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, pasi dyshohet se persona të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja. Ndërkohë, rreth 70 banorë janë evakuuar dhe po qëndrojnë jashtë banesave të tyre për arsye sigurie.

