Vrasja e shqiptares Ilaria Sula në Itali vijon të mbetet një nga temat më delikate. Pasi u grumbulluan dëshmitë e deritanishme të dhëna nga Mark Samson, kujtojmë se policia vijoi me kontrolle në universitet.
Gjithashtu mësohet se në lidhje me ngjarjen ka dhënë dëshmi dhe një nga miqtë e autorit, Maher Abouzeid, një i ri gjysmë-egjiptian dhe gjysmë-filipinas.
Mediat italiane raportojnë se përpara hetuesve ai tregon se çfarë ndodhi me Mark Antony Samson ditët pasi kreu krimin, duke thënë se nuk e dinte për atë që ai kishte bërë.
“Natën pasi kreu krimin, ne u takuam së bashku dhe duart e tij ishin të fryrë. E pyeta se çfarë kishte ndodhur dhe ai më tha që ishte përleshur me dy djem përpara shtëpisë së Ilarias. Por ishte një gënjeshtër. Ishte fillimi i të gjithë gënjeshtrave”, tha si fillim miku i 23-vjeçarit.
Ndërsa më tej ai shtoi se kishte frikë të linte makinën e tij vetëm, duke u shprehur se trupi i Ilarias mund të ishte ende në makinë.
“Si fillim ai ishte në ankth dhe unë mendova se kjo kishte ndodhur për shkak të ndarjes me Ilarian. Më pas u kthye Marku i vjetër. Ai filloi të qeshte, të këndonte dhe të bënte shaka. U njohëm me dy turiste polake dhe kaluam natën me ato deri në tre të mëngjesit. Madje ato na ftuan dhe në shtëpinë e tyre për më shumë. Por nuk e imagjinoja dot që në ato momente, Ilaria ishte e vdekur”, tha Abouzeid gjatë dëshmisë së tij.
“Pasi mbaruam festën, i thashë Markut që të flinte nga unë pasi ishte vonë, por ai kishte frikë ta linte makinën e tij vetëm. Ai u ndje tepër i tmerruar dhe shpresoj që trupi i Ilarias mos të ishte aty”, përfundoi miku i autorit.