GREQI– Patra, një ndër qytetet më të mëdha në Greqinë perëndimore është nën kërcënim nga zjarret që lëvizin me shpejtësi, ndërsa nxehtësia ekstreme dhe erërat e forta nxisin flakët në pjesën më të madhe të Evropës Jugore.
Erërat përvëluese i shtynë flakët në periferi të Patras, qytetit të tretë më të madh të vendit me një popullsi prej rreth 200,000 banorësh, duke detyruar evakuime, përfshirë një spital për fëmijë, dhe duke dërguar re tymi në të gjithë horizontin.

Gati 10,000 hektarë janë djegur në rajonin përreth Akaisë në dy ditë. Fshata të tëra janë zbrazur, shtëpi dhe biznese janë shkatërruar dhe qindra automjete janë djegur, përfshirë më shumë se 500 makina në një oborr doganor.
Flakët kaluan nëpër oborret e fabrikave, ndërsa shkaktuan disa dëme në dyqanet jashtë zonës industriale.
Gjithashtu një ndërtesë e braktisur dhe një zonë e madhe magazinimi pranë Departamentit të Zjarrfikësve të Zonës Industriale u dogjën plotësisht. Vlerësimet fillestare tregojnë se 550 makina u dogjën plotësisht, një shifër që ka të bëjë me shumicën dërrmuese të automjeteve.
Gjithashtu pamjet nga ky rajon kanë bërë xhiron e botës. Banorët kanë shpëtuar kafshët e tyre, bagëtitë e çdo gjë të gjallë duke i marrë në krah për t’i larguar nga zjarret. Në Achaea kishte vatra të shumta zjarresh të shpërndara nëpër territor. Aktualisht situata është nën kontroll tashmë dhe zjarri ndodhet sipër në mal, duke mos rrezikuar më zonat e banuara./BBC/Radar.al




