Një operacion i gjerë i Guardia di Finanza në Bergamo ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal italo-shqiptar, i cili ushtronte aktivitet në disa rajone të Italisë. Banda ishte e përfshirë në trafik droge, shfrytëzim për prostitucion, grabitje vilash dhe vepra të tjera penale.
Autoritetet italiane arrestuan disa nga drejtuesit dhe anëtarët e këtij rrjeti kriminal duke sekuestruar sasi të mëdha lëndësh narkotike si marijuanë, hashash dhe kokainë, shuma të mëdha parash të paketuara, armë zjarri dhe një limuzinë luksoze që dyshohet se përdorej për transportimin e prostitutave.
Organizata kriminale vepronte prej kohësh dhe kishte struktura të mirëorganizuara me ndarje të roleve mes anëtarëve shqiptarë dhe italianë. Pjesëtarët e saj akuzohen për trafik narkotikësh, shfrytëzim prostitucioni, vjedhje dhe grabitje në vila luksoze, zhvatje, pranim mallrash të vjedhura, mashtrime financiare dhe armëmbajtje pa leje. Autoritetet italiane kanë shpërndarë pamje nga operacioni por nuk kanë publikuar ende identitetet e të arrestuarve. Hetimet vijojnë dhe pritet të zbulohen lidhje të tjera të kësaj organizate me rrjete kriminale në vende të tjera të Evropës.