TIRANË– Sekretari i Përgjithshëm i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Mathieu Mori, i ka dërguar një letër ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku e informon lidhur me vizitën e afërt të Komitetit të Monitorimit. Sipas letrës, Komiteti ka planifikuar të zhvillojë një mision monitorimi në Shqipëri në datat 17–19 nëntor 2025.
Në letër theksohet se qëllimi kryesor i vizitave të këtij lloji është përgatitja e një raporti të përditësuar mbi gjendjen e demokracisë vendore dhe/ose rajonale në një vend të caktuar.
“Ato synojnë ta arrijnë këtë përmes një dialogu të hapur dhe konstruktiv me autoritetet e atij vendi, në nivelet shtetërore, rajonale dhe vendore. Dua t’ju informoj se Komiteti i Monitorimit i Kongresit e ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve që do të monitorohen në vitin 2025. Për rrjedhojë, propozohet një vizitë monitoruese në vendin tuaj për datat 17–19 nëntor 2025.”-shkruan Sekretari i Përgjithshëm i Kongresit të Autoriteteve Vendore.
Kujtojmë se SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë./Radar.al

