Një bazë e klasifikuar e inteligjencës ushtarake izraelite ka nxjerrë në pah se shumica dërrmuese e palestinezëve të vrarë në Gaza nga sulmet e ushtrisë izraelite ishin civilë. Hetimi i përbashkët i The Guardian, +972 Magazine dhe Local Call zbulon se pesë nga gjashtë viktima nuk kishin lidhje me grupet e armatosura.
Sipas të dhënave, që nga maji – 19 muaj pas nisjes së luftës – Izraeli ka regjistruar 8,900 luftëtarë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik si të vrarë ose të dyshuar të vrarë. Por në total, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, mbi 53,000 palestinezë kanë humbur jetën. Kjo do të thotë se vetëm 17% ishin luftëtarë, ndërsa 83% civilë.
Ekspertët e konfliktit e cilësojnë këtë përqindje si një nga më të lartat e njohura në luftërat moderne, duke e krahasuar me masakrat e Srebrenicës, gjenocidin në Ruandë dhe rrethimin e Mariupolit.
Organizatat e të drejtave të njeriut e akuzojnë Izraelin për gjenocid në Gaza, duke theksuar jo vetëm vrasjet masive, por edhe urinë e imponuar ndaj popullsisë civile.
Ushtria izraelite nuk e mohoi ekzistencën e bazës së të dhënave, por deklaroi për The Guardian se shifrat e raportuara “janë të pasakta” dhe “nuk pasqyrojnë të dhënat e IDF-së”, pa dhënë më shumë detaje.
Ndërkohë, edhe pse politikanët izraelitë shpesh i hedhin poshtë shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës si propagandë, ish-kreu i inteligjencës ushtarake i ka konsideruar ato si të besueshme.


