Jean-Claude Van Damme ka reaguar ndaj akuzave të fundit të skandalit seksual me gra të trafikuara, duke i quajtur ato ‘absurde’.
Një kallëzim penal është paraqitur kundër aktorit 64-vjeçar të Hollivudit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Organizuar dhe Terrorizmit (DIICOT) në Rumani, duke pretenduar se pesë gra, të trafikuara nga një i ashtuquajtur ‘guru’, iu ofruan atij për marrëdhënie intime.
Sipas Antena 3 CNN, këto gra dyshohet se iu “prezantuan si dhuratë” dhe aktet e pretenduara kanë ndodhur në Kanë, gjatë një eventi të organizuar prej tij. Megjithatë, periudha kohore e ngjarjeve të supozuara nuk është përcaktuar.
Agjenti i yllit belg, Patrick Goavec, i hodhi poshtë akuzat në një deklaratë për revistën People të mërkurën, duke i cilësuar ato si ‘të neveritshme dhe të pabaza’.
“Jemi informuar për artikuj që pretendojnë një lidhje të supozuar në Kanë që përfshin Z. Jean-Claude Van Damme. Faktet e raportuara janë njëkohësisht të neveritshme dhe të pabaza”, tha ai në deklaratën e përkthyer nga frëngjishtja.
“Z. Van Damme nuk dëshiron të komentojë apo të ushqejë këtë thashethem, i cili është po aq absurd sa edhe i pabazuar”, shtoi ai.